Komuna e Pejës pa strategji për mbrojtjen e biodiversitetit

PejëPostuar: 09:42 / 12.09.2017

Megjithëse sipas Planit Lokal të Veprimit në Mjedis 2009–2015 ishte paraparë hartimi i një strategjie për ruajtjen e biodiversitetit, Komuna e Pejës ende është pa një strategji të tillë, pavarësisht se kanë qenë të identifikuara problemet, si dhe janë propozuar edhe veprimet me Planin Lokal të Veprimit në Mjedis dhe statusi i zbatimit të tyre.

Gjithashtu mungon një studim i plotë për gjendjen aktuale dhe masat për mbrojtjen e llojeve të rralla dhe atyre të rrezikuara, shkruan sot “Koha Ditore”. Nuk ka as një evidentim të plotë të bimëve me vlera të veçanta e me mundësi përdorimi në industri apo mjekësi.

E vetmja që ka ndodhur deri më tash është publikimi i disa broshurave të organizatave mjedisore, mirëpo në aspektin institucional nuk ka pasur asnjë veprim.

Me ligjin për mbrojtjen e natyrës, përkatësisht planifikimit dhe organizimit të mbrojtjes së natyrës, komunat detyrohen që të nxjerrin programe për mbrojtjen e natyrës për territorin e vet.

Moshartimin e kësaj strategjie nga ana e komunës, zëdhënësi i Komunës, Enegelbert Zefaj e “arsyeton” me mungesën e të dhënave për biodiversitetin.