Kuvendi kundër laurës me pagesë në Grykë të Rugovës

PejëPostuar: 14:52 / 02.05.2019

Këshilltarët e Kuvendit Komunal të Pejës janë deklaruar njëzëri që me kompetencat e tyre që kanë me këtë organ komunal nuk do të lejojnë ndërtimin e një laure në Grykë të Rugovës, që për qëllim ka pagesën e taksës për vizitorë apo për kënd do tjetër që del në atë trevë.

Këtë qëndrim ata e kanë forcuar edhe me një konkluzion që e kanë miratuar unanimisht për ndalimin e ndërtimit të kësaj laure.

Diskutimi për këtë laurë, që Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor po pretendon ta ndërtojë në kilometrin e tretë të Grykës së Rugovës, është ngritur nga këshilltari i subjektit Nisma, Gezon Berisha, në seancën e rregullt të Kuvendit, të mbajtur të martën.

“Duhet të na sqarohet pak çështja e laurës pse po vendoset. Dhe nëse paska qëllimin për ndalimin e degradimit të pyjeve, pse qytetarët me pagua taksa nëse e kalojnë laurën me dal në Rugovë edhe për një piknik”, shtroi pyetje Berisha, shkruan sot Koha Ditore.

Edhe kryetari i grupit të këshilltarëve të AAK-së, Ardian Berisha, u interesua të dijë se a ka marrë MMPH-ja ndonjë pëlqim prej komunës për ndërtimin e asaj laure. Kryesuesi i Kuvendit, Islam Husaj, i tha se për ndërtimin e asaj laure duhet që MMPH-ja ta ketë pëlqimin e Komunës dhe të komunitetit, e që sipas tij, Ministria nuk e ka asnjërin pëlqim prej të dyjave.