Ndërtimi i hidrocentralit në Lumbardh në kundërshtim me Planin zhvillimor të Komunës

PejëPostuar: 10:48 / 25.02.2019

Në kundërshtim me Planin Zhvillimor të Komunës së Pejës, Komiteti ndërministror për investime strategjike po synon që të realizojë projektin për ndërtimin e hidrocentraleve në Lumbardhin e Pejës.

Duke u bazuar në Ligjin për Investime strategjike, ky komitet në takimin e mbajtur më 19 shkurt ka pohuar se propozimet e kompanisë “Kelkos Energy” plotësojnë kriteret teknike për t’u konsideruar si projekte strategjike të investimeve, shkruan sot “Koha Ditore”.

Iniciativa për realizimin e një projektit të tillë kishte filluar që në tetor të vitit 2013, kur kompania “Kelkos Energy” kishte nënshkruar një marrëveshje me Komunën e Pejës për ndërtimin e pesë hidrocentraleve në fshatrat e Rugovës për rreth 120 milionë euro.

Megjithatë, ky projekt ishte ndaluar me Planin zhvillimor komunal, i cili ndalon ndërtimin e hidrocentraleve në atë zonë shkaku i degradimit të lumenjve, ashtu siç kishte ndodhur në Komunën e Deçanit nga i njëjti investitor.