Opozitarët kundërshtojnë këmbimin e 7 hektarëve komunal me parcelë private në Pejë

PejëPostuar: 11:41 / 21.12.2018

Është shqyrtuar të enjten, në takimin e rregullt dhe të fundit për Komitetin e Politikës dhe Financave, edhe propozimi i kryetarit të Komunës, Gazmend Muhaxheri, dhe Drejtorisë së Çështjeve Pronësore Juridike, këmbimi me interes publik i disa pronave komunale me ato private.

Ndër to pika më e nxehtë ishte shqyrtimi i kërkesës për miratimin e këmbimit të pronës komunale të Pejës me sipërfaqe prej 7 hektarë e 49 arë, që gjendet në Zonën Kadastrale Jabllanicë e Vogël me pronën private të pronarit Shaqir Demaj nga Peja në sipërfaqe prej 1 arësh, që gjendet buzë Lumëbardhit mbi qendër të qytetit, më qëllim të ndërtimit të rrugës për shtegun e ecjes për këmbësorët, buzë Lumëbardhit, shkruan sot Koha Ditore.

Propozimi i njëjtë për këmbimin e këtyre pronave kishte qenë në PKF edhe para gati 2 vjetësh dhe po ai propozim nuk kishte kaluar as në KK, në marsin e vitit të kaluar. Tashti sërish kryetari Muhaxheri pretendon që ta bëjë këtë këmbim të konsideruar prej tij me interes publik. Mirëpo, sërish ky propozim ka hasur në kundërshtim të anëtarëve të KPF-së nga subjektet opozitare, por edhe të subjektit të PDK-së, që në koalicion me LDK-në bashkëqeverisin Pejën.