Peja nis dëgjimet publike për hartimin e buxhetit 2020-2022

PejëPostuar: 10:57 / 09.07.2019

Komuna e Pejës përmes Zyrës së Kryetarit, Drejtorisë për Financa dhe Kryesuesit të Kuvendit kanë filluar me mbajtjen e dëgjimeve publike me qytetarë të organizuara nëpër Bashkësi Territoriale.

Qëllimi i këtyre takimeve është që kërkesat e qytetarëve të merren nga secili përfaqësues, pastaj Komisioni i Kuvendit dhe Komisioni i Komunës i udhëhequr nga kryetari dhe drejtori i Financave i nxjerrin prioritetet në mënyrë proporcionale në bazë të kapaciteteve buxhetore për hartimin e buxhetit të Komunës për vitin 2020-2022.

Sot, janë mbajtur dëgjimet buxhetore me banorët e qytetit, njëri dëgjim është mbajtur në sallën e Asamblesë Komunale të Pejës dhe tjetri në shkollën fillore "8 Marsi".

Në këto takime janë prezent Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, Kryesuesi i Kuvendit, Islam Husaj, Drejtori i Financave, Jeton Abazaj, të cilët po tregojnë transparencë ndaj qytetarëve dhe kërkesave të tyre.

Kryetari Muhaxheri në këto takime ka prezantuar gjendjen faktike te të gjitha projekteve, që janë në vazhdimësi duke u punuar dhe mundësinë e kapaciteteve të Komunës për projekte të tjera në vazhdimësi.

Drejtori për Buxhet dhe Financa në Komunën e Pejës, Jeton Abazaj i shpjegoi burimet e financimit të Komunës, prej nga financohen, si financohen dhe sa është buxheti i paraparë për vitin e ardhshëm.

Në bazë të Ligjit të Financave Publike dhe Financimit të Pushtetit Lokal Komunave ju takon 10% e buxhetit të përgjithshëm në nivel vendi. Në vitin e ardhshëm i kemi planifikuar 28 milion euro total buxhet në fillim duket shifër e madhe, por kur ta ndajmë në kategorinë e pagave, që paguhet prej 28 milionëshit, që do të jetë diku mbi 15.5 milionë, atëherë pjesa tjetër për shpenzim do të ndahet në kategori të tjera, ku prej tyre do t'i kemi rreth 8 milion investime kapitale, pastaj duhet llogaritur pjesa e mallrave dhe shërbimeve, si dhe shpenzimet komunale.

Takimet për dëgjimet buxhetore janë duke vazhduar në të gjitha Bashkësitë Territoriale dhe janë duke u evidentuar të gjitha kërkesat e qytetarëve. /InfoKomuna/