Pejës mbi 200 mijë euro donacion nga “Demosi” për performancë të mirë

PejëPostuar: 10:23 / 17.04.2018

Komuna e Pejës është shpërblyer me 213 mijë euro donacion nga programi “Demos” i organizatës HELVETAS - Swiss Intercooperation, që financohet nga Qeveria e Zvicrës për performancë të mirë të saj të treguar gjatë vitit të kaluar, shkruan sot “Koha Ditore”.

Me këtë program Qeveria zvicerane stimulon komunat në Kosovë për të përmirësuar performancën e tyre dhe sa më e mirë që është ajo, aq më i madh është grandi që u jepet komunave për bashkëfinancim të projekteve të ndryshme.

Përcaktimin e kritereve vlerësuese për performancën e komunave e bëjnë “Demosi” bashkë me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal.

Ndër kriteret kryesore që duhet plotësuar kanë qenë menaxhim i financave publike, raporti pozitiv i auditimit, shpenzimet kapitale 75 për qind, rritja e arkëtimit të tatimit në pronë, rritja e hapësirave publike, shtimi i trupave ndriçues dhe transparenca në Kuvend dhe shpenzimi i parasë publike.