Përfundimi i rrugës së Peklenës peng i buxhetit

PejëPostuar: 11:14 / 13.02.2019

Poshtë nga qyteti bie në sy në bjeshkën përballë traseja gjarpëruese e rrugës që po ndërtohet nga Peja në drejtim të Peklenës në Rugovë.

Punimet në këtë rrugë kanë nisur në verën e vitit 2017, ndonëse operatori ishte kontraktuar nga Komuna në vitin 2016 për këtë projekt trevjeçar të tenderuar nga Komuna dhe të financuar nga Ministria e Infrastrukturës. Punimet në atë rrugë janë realizuar varësisht nga buxheti që është ndarë, shkruan sot Koha Ditore.

Duket se as sivjet kjo rrugë nuk do të përfundojë, për shkak të mosndarjes së tërë buxhetit të nevojshëm për përfundimin e këtij projekti rrugor, i cili konsiderohet me rëndësi të madhe për zhvillim të qëndrueshëm të asaj treve.

Në bazë të njoftimit për kontratë në vitin 2016, vlera e parashikuar për projekt për ndërtimin dhe asfaltimin e rrugës Maja e Zezë-Peklenë-Shtupeq i Vogel-Varri i Sykut, ka qenë rreth 2 milionë e 210 mijë euro dhe fillimisht ishte menduar të ndërtohet në bashkëfinancim të Komunës me Ministrinë e Infrastrukturës.