Qendra Operative Emergjente e Pejës: Të respektohen masat mbrojtëse

PejëPostuar: 13:01 / 13.05.2020

Qendra Operative Emergjente e komunës së Pejës sot mbajti mbledhjen e rregullt për të diskutuar për menaxhimin e situatës emergjente në lidhje me Covid-19.

Në këtë mbledhje u tha, pavarësisht lajmeve pozitive që i dëgjojmë në medie, rreziku për infektim me COVID-19 mbetet ende i madh, andaj duhet ende të jemi të kujdesshëm dhe të respektohen masat mbrojtëse.

U raportua se në ditët e fundit ka rënë disiplina e qytetarëve për respektimin e masave mbrojtëse gjatë kohës së lëvizjes në vende publike. Po ashtu u raportua se dyqanet, sidomos ato që shesin pemë dhe perime, në shumicën e rasteve nuk po i respektojnë udhëzimet e MEPTINIS për ndërmarrjen e masave mbrojtëse.

Duke u bazuar në këto raportime, qendra operative emergjente vendosi për rritjen e aktivitetit për rritjen e vetëdijes së qytetarëve dhe për ndëshkimin e bizneseve që nuk i respektojnë udhëzimet e MEPTINIS. Inspektorët komunal dhe policia do të shtojnë aksionet e tyre dhe do të jenë rigoroz ndaj atyre që nuk i respektojnë udhëzimet e institucioneve përgjegjëse. /InfoKomuna/