Raporti i kryetarit të Pejës kritikohet ashpër nga opozita

PejëPostuar: 12:51 / 01.02.2019

Në takimin e parë të Kuvendit Komunal të Pejës këtë vit, mbajtur të enjten, në mesin e pikave të rendit të ditës ishte edhe raporti informativ i kryetarit të Komunës, Gazmend Muhaxheri, për punën e ekzekutivit të Komunës së Pejës për vitin e kaluar, shkruan sot Koha Ditore.

Ai gjatë ekspozesë për punën e ekzekutivit, kryesisht në vija të trasha, ka lavdëruar secilën drejtori dhe drejtor komunal për punën e kryer dhe për projektet e realizuara.

Për secilën drejtori veç e veç ka folur duke potencuar dhe lavdëruar së pari punën e administratës komunale, e cila vitin e kaluar ka trajtuar 107 mijë lëndë dhe, sipas Muhaxherit, për këtë Komuna e Pejës është nga ato komunat që janë në garë për efikasitet dhe efiçiencë të punëve të kryera.

Ai ka përmendur projektet e realizuara apo që janë në realizim e sipër, si ndërtimi shkollës së muzikës, asaj të artit, rinovimi i gjimnazit, ndërtimi i disa palestrave sportive nëpër fshatra dhe kubëzimi i oborreve në disa shkolla. Pastaj ndërtimi i kanaleve të ujitjes, shpërndarja e serrave, asfaltimi i rreth 110 kilometrave rrugë, vendosja e mbi 1 mijë e 300 trupave të rinj ndriçues në qytet dhe fshatra.