Rreth 1 milion euro për asfalt në Pejë

PejëPostuar: 11:45 / 17.04.2019

Lista përfundimtare nga Komuna e Pejës për projektet e reja të planifikuara për këtë vit për nga numri është dyfishuar krahasuar me vitin e kaluar.

Njëjtë edhe shuma e mjeteve të planifikuara të investimeve është dyfish më e lartë, por jo në shumën e mjeteve që ishin premtuar vitin e kaluar që do të investohen gjatë vitit 2019 në projekte të reja infrastrukturore, shkruan Koha Ditore.

Në listë përfundimtare të planit të prokurimit për vitin 2019 janë planifikuar të shpallen 107 tenderë. Prej tyre 24 tenderime për furnizim dhe blerje në vlerë të parashikuar prej mbi 940 mijë eurosh dhe për shërbime janë planifikuar 8 tenderime në vlerë të parashikuar prej 265 mijë eurosh. Për kontratë pune janë planifikuar 78 tenderime me vlerën e përgjithshme prej 4 milionë e 986 mijë eurosh apo 2 milionë e 300 mijë euro më shumë se vitin e kaluar, shkruan sot Koha Ditore.

“Sivjet janë dyfishi i projekteve krahasuar me vitin e kaluar. Vazhdimet e projekteve nga vitet e kaluara nuk tenderohen, por vetëm vendosen në buxhet për këtë vit. Ajo që është në planifikim është baza për sivjet e tenderëve për publikim”, thotë menaxheri i Zyrës komunale të prokurimit në Pejë, Xhemë Berisha.