Rugovasit kërkojnë heqjen e pronave private nga Parku Kombëtar

PejëPostuar: 10:45 / 10.04.2018

Banorët e trevës së Rugovës sërish i kanë ngritur shqetësimet e tyre për pronat e veta që i kanë në kuadër të Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”.

Ata vazhdojnë të insistojnë që pronat e tyre të menaxhohen nga ata vetë e jo që për çdo gjë që ka të bëjë me pronat e tyre të jenë të varur nga lejet apo pëlqimet e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor apo edhe nga Drejtoria për Administrimin e parkut kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”.

Banorët e fshatrave të Rugovës, përmes përfaqësuesve të tyre e kanë parashtruar në Zyrën e Kryeministrit kërkesën për heqjen e pronave private dhe pyjet rrethanore nga Parku Kombëtar.

Këtë kërkesë e ka dorëzuar Agron Nikçi, kryetar i Bashkësisë Lokale për pjesën e poshtme të trevës, që mbulon gjysmën e fshatrave të Rugovës.