Rugovasit kushtëzojnë vendosjen e laurës me investimin e taksave në këtë trevë

PejëPostuar: 10:44 / 05.02.2019

Vendimi i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, për vendosjen e një laure edhe në Grykë të Rugovës, ka shkaktuar shqetësime dhe reagime kundërshtuese të banorëve të kësaj treve.

Ditët e kaluara siç tregojnë kryetarët e dy bashkësive territoriale në Rugovë, kanë diskutuar me banorë rreth laurës që pritet të vendosët sivjet, për të cilën siç tregojnë ata as që i ka kontaktuar e informuar kush deri tash si komunitet të kësaj treve, shkruan sot Koha Ditore.

“Neve si banorë të Rugovës nuk na ka informuar e as kontaktuar askush paraprakisht për atë plan të ministrisë, që besojmë se ishte dashtë, pasi treva e Rugovës është zonë e banueshme. Për këtë arsye ne, ditët e kaluara e kemi diskutuar me banorët nëpër fshatra atë plan për vendosjen e laurës në hyrje të Grykës, dhe ajo është kundërshtuar nga të gjithë në gjitha fshatrat. Pra Rugova është kundër laurës, sepse është e pa arsyeshme të vendoset një laurë e tillë për Rugovë".

"Nuk ka logjikë të vendoset ajo laurë në një zonë si treva e Rugovës, e cila është e banuar dhe ka prona private dhe nuk është vetëm pronë shtetërore. Ministria mund ta vendosë laurën dhunshëm, por ne do ta kundërshtojmë”, tregon qëndrimin kundërshtues të banorëve, Flamur Rexhbogaj, kryetar i bashkësisë lokale Boge, që mbulon shtatë fshatrat e pjesës së epërme të Rugovës.