Shtohen rastet e dhunës në shkollat e Pejës

PejëPostuar: 11:20 / 20.03.2018

Therja me thikë e mësimdhënësit në shkollën e mesme teknike “Shaban Spahija” në Pejë nga nxënësi i tij i klasës së dhjetë, para dy jave, dhe therja gjithashtu me thikë e një nxënësi nga një bashkëmoshatar para një jave në Stacionin e Autobusëve në Pejë, ka ngritur shqetësimet për dhunën e shprehur nga nxënësit në objektet shkollore dhe jashtë tyre.

Kjo dhunë, sidomos mes nxënësve, ku nuk ka munguar as bartja dhe përdorimi i armëve të ftohta, është në rritje siç dokumentojnë edhe të dhënat e policisë për dy vjetët e fundit, shkruan sot “Koha Ditore”.

Sipas raporteve të dërguara KD-së nga zyra e informim të Policisë në Pejë, në vitin 2016 janë raportuar katër raste.

Dy raste të lëndimeve të lehta trupore, një kanosje dhe një prishje të rendit dhe qetësisë publike. Për vitin 2017 janë të raportuar 12 raste, prej të cilave 8 raste të lëndimeve të lehta trupore dhe 4 raste të prishjes së rendit dhe qetësisë publike.

Deri tash në vitin 2018 janë të raportuara 5 raste, aq sa tërë vitin 2016.

Për psikologen Prenda Dodaj–Krasniqi, fenomeni i dhunës në përgjithësi është shqetësues, alarmues dhe i patolerueshëm, sidomos fenomeni i dhunës në shkolla mes nxënësve dhe ndaj mësimdhënësve. Sipas saj, faktorët që sjellin dhunë janë të shumtë dhe të ndryshëm.