Skandali me mishin e prishur, i dyshuari sot del para gjykatës (Foto)

PejëPostuar: 12:00 / 18.01.2019

Informata nga një qytetar se në një fermë ishte marrë një kafshë e ngordhur bëri që Policia të intervenojë menjëherë.

Aksioni rezultoi me zbulimin e një kasaphane nën kushte të tmerrshme higjienike me sasi të mëdha të mishit të prishur, i cili po bëhej gati të nxirrej në treg dhe t`u servohej qytetarëve për konsum.

Brenda atij objekti u gjeten 1089.40 kg mish i prishur dhe një sasi e konsiderueshme e produkteve të mishit të ngrirë dhe të tymosur në kushte aspak të përshtatshme higjienike.

Nën dyshimet për prodhim dhe vënie në qarkullim të artikujve të dëmshëm ushqimorë, dje policia arrestoi tre persona të cilëve u është gjetur mishi i prishur i gatshëm të shitej për konsum.

Prokuroria ndaj njërit prej tre personave të arrestuar kërkoi edhe masën e paraburgimit.

Fjala është për të dyshuarin S.Sh., i cili pritet të dalë sot para Gjykatës në Pejë për shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit.

Mishi i prishur i cili u kap dje pas konstatimit nga Inspektorati  i veterinës është asgjësuar.

Foto të vendit ku u gjeten produktet e mishit i cili ishte i rrezikshëm për shëndetin e popullatës.