Të shtëna armësh në hyrje të Gjykatës së Pejës

PejëPostuar: 16:30 / 22.03.2018

Gjykata Themelore në Pejë ka njoftuar për të shtëna afër objektit të saj. Sot pasdite rreth orës 14 e 30 minuta në hyrje të objektit të Gjykatës në Pejë ka pasur të shtëna me armë zjarri.

Lajmi është bërë i ditur nga vetë gjykata nëpërmjet një sqarimi.

“Një qytetar (babai i palës se mbrojtur) ka gjuajtur më arme zjarri, në drejtim të palës tjetër (kryesit të dhunës ne familje), duke shkrepur dy plumba", thuhet në njoftimin e gjykatës.

Gjykata më tutje tregon se nga të shtënat nuk kishte të lënduar.

“Punëtorët e sigurimit te gjykatës se bashku me policet te cilët ndodheshin në objekt, kanë intervenuar menjëherë dhe fatmirësisht nuk ka pasur njerëz te lënduar”, vijon sqarimi.

Gjykata shpjegon se i dyshuari për gjuajtje me armë është arrestuar dhe i është caktuar ndalimi policor.

Sipas Gjykatës në Pejë, seanca lidhur me dhunën në familje ishte caktuar pikërisht sot, kur edhe ndodhën të shtënat.