Telekomi ofron 31 lidhje të internetit të shpejtë për Spitalin e Pejës

PejëPostuar: 16:20 / 06.09.2018

Kryeshefi Ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Gent Begolli është pritur të enjten nga Drejtori Ekzekutiv i Spitalit të Përgjithshëm në Pejë, Dr. Skender Dreshaj, me të cilin kanë lidhur marrëveshje për ofrimin e internetit të shpejtë, në hapësirat e këtij spitali.

Sipas kësaj marrëveshje, Telekomi i Kosovës do të ofrojë 31 lidhje të internetit të shpejtë (WiFi), TiKon 50 Mbps, në hapësirat e këtij spitali, ndërsa, instalimi do të bëhet duke përdorur teknologjinë e avancuar të fijeve optike GPON.

Kryeshefi Ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Gent Begolli u shpreh tejet i kënaqur me arritjen e kësaj marrëveshje me Spitalin e Përgjithshëm në Pejë.

“Jam jashtëzakonisht i kënaqur që të gjithë mjekët dhe personeli mjekësor i Spitalit të Përgjithshëm në Pejë, por edhe pacientët, përcjellësit dhe vizitorët e këtij spitali, do të shfrytëzojnë falas internetin e Telekomit të Kosovës, që, do të lehtësojë komunikimin mes pacientëve dhe familjarëve, dhe në veçanti të mjekëve dhe personelit mjekësor, gjatë kryerjes së detyrës së tyre fisnike dhe humane”, tha Kryeshefi Ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Gent Begolli.

Sipas tij, nënshkrimi i kësaj marrëveshje do të garantojë shërbim të internetit të pandërprerë, duke pasur parasysh punën e ndjeshme të personelit mjekësor dhe administrativ të spitalit.

“Telekomi i Kosovës në vazhdimësi ofron shërbime cilësore dhe atraktive për qytetarët tanë. Përveç shërbimeve të internetit, ne, gjithashtu morëm garanci për mbështetjen e nevojshme teknike dhe profesionale të ekspertëve të Telekomit të Kosovës gjatë instalimit të rrjetit të brendshëm (LAN) në hapësirat e këtij spitali, duke kursyer kështu mbi 20 mijë euro”, u shpreh Dr. Skender Dreshaj, Drejtor i Spitalit të Përgjithshëm në Pejë.

Zyrtarët e Telekomit të Kosovës gjithashtu do të ofrojnë shërbime tjera telekomunikuese, por edhe këshilla profesionale për optimizimin e intranetit-LAN, që do të instalohet në hapësirat e këtij spitali.

Telekomi i Kosovës, Vala do të vazhdojë me përmbushjen e synimeve strategjike, për të plotësuar nevojat e të gjithë konsumatorëve, institucioneve publike dhe atyre private, për qasje sa më të lehtë në shërbimet e internetit, telefonisë mobile, fikse dhe IPTV-së./Indeksonline/.