Udhëheqja e arkivit në Pejë kërkon objekt të ri

PejëPostuar: 11:17 / 12.12.2017

Arkivi Ndërkomunal i Pejës i ndërtuar para 6 dekadash ndodhet në gjendje të keqe. Sidomos enterieri është ka mbetur ai i viteve ‘60.

Megjithëse nga jashtë infrastruktura përreth objektit tregon kohën e re, por porsa të hysh brenda kthehesh në vitet ’60, pasi në ambientin e brendshëm asgjë nuk ka ndryshuar prej kohës kur është themeluar dhe sistemuar arkivi në atë objekt, shkruan sot “Koha Ditore”.

Bajram Kelmendi, drejtori i Arkivit Ndërkomunal, tregon se objekti i arkivit është ndërtuar më 1956 për krejt diçka tjetër. Deri në themelimin e arkivit në vitin 1968, siç thotë Kelmendi, ky objekt kur është ndërtuar ka qenë qumështore.

Gjurmët e qumështores gjenden edhe sot në bodrum, ku në njërën prej dhomave të arkivit ende gjendet një kazan i madh qumështi.

“Si qumështore ka punuar deri në vitin 1968 kur ky objekt është rinovuar dhe përshtatur për arkiv, i cili është themeluar po atë vit. Prej atij viti arkivi ka funksionuar në këtë objekt ku jemi dhe tashti”, tregon Kelmendi.

Rinovime në këtë objekt nuk ka pasur në hapësirat e brendshme, përveç gëlqerosjes që ka ndodhur kohë pas kohe. Një objekt i ri për arkivin është pritur të ndërtohej para gjashtë vjetësh, me një projekt të Ministrisë së Administratës Publike, por siç thotë Kelmendi, ai projekt ka dështuar.