Zyrtari komunal dyshohet për falsifikim të dokumentit zyrtar

PejëPostuar: 11:26 / 08.12.2017

Hetuesit e Krimeve ekonomike dhe Prokuroria Themelore e Pejës bazuar në kallëzimin penal të ngritur nga kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, kanë hapur hetimet ndaj një operatori ekonomik nga Peja për tërheqjen e automjeteve dhe ndaj një zyrtari në Administratën Komunale, me vend pune si zyrtar i lartë ligjor në Drejtorinë e Çështjeve Pronësore-Juridike.

Kjo me dyshime të falsifikimit të dokumenti zyrtar dhe tentativës për zhvatje të parasë publike.

Kallëzimi penal së pari është iniciuar të premten e kaluar në krimet ekonomike, kurse kryetari e ka ngritur të mërkurën kallëzimin penal edhe në Prokurori.

“Kallëzimi penal është parashtruar dhe tashti ajo çështje do t’i jepet për punë hetimore një prokurori”, konfirmoi të enjten për Koha Ditore, pranimin e këtij kallëzimi penal, Agim Kurmehaj, kryeprokuror i Prokurorisë Themelore të Pejës.

Shefi i kabinetit të kryetarit, Durim Sheremeti, për KD-në tregon se këto hetime kanë të bëjnë me një operator për tërheqjen e automjeteve dhe një zyrtar komune, për çka kryetari ka shprehur gatishmërinë për ta zbardhur rastin deri në fund.