Planifikimi i qëndrueshëm shmang copëzimin e politikave dhe buxheteve

Postuar: 18:09 / 03.05.2018

Në kuadër të projektit ‘Një përpjekje drejt një qeverisje lokale të qëndrueshme dhe funksionale’, Instituti KLGI në bashkëpunim me Zyrën e Koordinatorit Nacional për Reforma Shtetërore në Qeverinë e Kosovës mbajtën punëtorinë me temën “Ngritja e Aftësive të Shërbyesve Civilë në Zbatimin Korrekt të Politikave Strategjike”.

Punëtoria pati për synim ngritjen e aftësive të shërbyesve civilë në nivel qendror dhe lokal në zbatimin korrekt të politikave strategjike. Lidhur me reformat që ndërlidhen me administratën, planifikimin e politikave dhe hartimin e strategjive prezantuan z. Besnik Muçaj – u.d. Drejtor Ekzekutiv i Institutit KLGI, z. Besnik Tahiri – Koordinator Nacional për Reforma Shtetërore, Venhar Nushi – Zyrtar i Lartë për Planifikim të Politikave në Qeveri dhe Arben Krasniqi – Drejtor i Sekretariatit Koordinues të Qeverisë.

Koordinatori Nacional për Reforma Shtetërore, Besnik Tahiri, foli për pakon e Ligjeve për reformën në administratën publike që përfshin Ligjin për Funksionimin e Administratës Publike, Ligjin për Shërbyes Civilë dhe Ligjin për Paga. Sa i përket Ligjit të Pagave, u theksua mos-harmoni serioz në mes të funksionit publik/organizimit funksional dhe pagave. Ndërkaq, lidhur me Ligjin për Shërbyesit Civilë, theks u vendos mbi kthimin e meritokracisë në konkurs, gjë e cila do të ndikonte në kthimin e shpresës tek të rinjtë.

Zyrtari për Planifikimin e Politikave, Venhar Nushi, prezantoi rreth hartimit, monitorimit dhe mbikëqyrjes së strategjive që hartohen. Nushi konkludoi se është tejet e rëndësishme që dokumentet planifikuese të jenë në përputhshmëri të plotë me prioritetet strategjike. Megjithëse ka strategji dhe plane të mira të zbatimit, sfidë mbetet çalimi në implementimin dhe monitorimin e këtyre planeve.

Ndërkaq, z. Besnik Muçaj – u.d. Drejtor Ekzekutiv i Institutit KLGI, tha se gjendja aktuale e hartimit të strategjive qëndron më keq në nivelin lokal. Lidhur me planifikimin e qëndrueshëm në komuna në raport me performancën, del se vetëm 28 % nga komunat performojnë mirë në këtë fushë. Andaj, në këtë aspekt, edhe qeveria ka rol krucial në fuqizimin e nivelit lokal përmes planifikimit strategjik. Në shumicën prej dokumenteve strategjike që i ka analizuar Instituti KLGI, ato më tepër i ngjajnë një liste dëshirash se sa projektimeve reale dhe zhvillimore.

Në anën tjetër, Drejtori i Sekretariatit Koordinues të Qeverisë, Arben Krasniqi, në prezantimin e tij theksoi se kur nuk ka planifikim të mirë, atëherë nuk kas as raportim dhe zbatim të mirë. Për më tepër, në gjetjen e zgjidhjeve dhe rregullimin e problemeve që ndërlidhen me këto fusha është e rëndësisë së veçantë që të ketë vlerësim dhe analiza paraprake, njëherësh konsultim publik. Po ashtu, u theksua se deri më tani, në shumë raste kemi mbi-rregullim, gjë e cila shpesh herë shkakton fragmentim të politikave dhe shpenzimeve.

Duke parë nevojën dhe kontekstin, ishte dakordim i përbashkët që të organizohet një punëtori/ trajnim i strukturuar, specifikisht për hartimin e strategjive dhe rregullativave, në mënyrë që komunat të avancojnë në këtë aspekt.

Ky grant është financuar nga projekti Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – i financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF). /InfoKomuna/

PrishtinëKomente: 0 Termokosi premton ngrohje kualitative për qytetarët e Prishtinës 10:15 / 24.09.2018 Termokosi i ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për sezonin e ri të ngrohjes. Zyrtarë të kësaj kompanie thonë se ngrohtorja ka kapacitete të mjaftueshme për të ofruar ngrohje kualitative për qytetarët e Prishtinës.
PrishtinëKomente: 0 Komuna e Prishtinës dështon në projektet kapitale infrastrukturore 10:02 / 24.09.2018 Komuna e Prishtinës ia kishte dedikuar mbi 7.5 milionë euro të buxhetit Drejtorisë më të rëndësishme të saj - Investimeve kapitale, por kjo e fundit përgjatë muajve të deritashëm të këtij viti ka dështuar ta kryente implementimin e projekteve që i janë besuar...