Aktivizohet qendra operative lokale emergjente në Podujevë

PodujevëPostuar: 11:44 / 15.04.2020

Shtabi Emergjent i Komunës së Podujevës për veprime dhe masa parandaluese e mbrojtëse nga COVID-19, në takimin e sotëm e ka vlerësuar gjendjen epidemiologjike në komunë dhe masat që duhet ndërmarrë pas vendimeve të Ministrisë së Shëndetësisë.

Në takimin e Shtabit Emergjent i Komunës së Podujevës për veprime dhe masa parandaluese e mbrojtëse nga COVID-19, të cilin e ka udhëhequr nënkryetari i Komunës, Nexhmi Rudari, është konstatuar se aktualisht në territorin e komunës nuk ka persona të infektuar me Virusin Corona.

Gjatë takimit u tha se kompania e angazhuar nga Komuna po vazhdon me dezinfektimin hapësirave publike në qytet dhe objektet e institucioneve shëndetësore e administrative, si dhe hapësirat te familjet ku kishim rastet me persona të infektuar me COVID-19.

Në këtë takim u vendos që të aktivizohet Qendra Operative Lokale Emergjente, e cila do të trajtojë kërkesat e qytetarëve në këtë situatë të emergjencës shëndetësore.

Nënkryetari Rudari kërkoi që gjatë kësaj periudhe t’i kushtohet rëndësi respektimit të rekomandimeve të institucioneve shëndetësore për aplikimin e masave mbrojtëse nga punëtorët e marketeve dhe dyqaneve ushqimore, furrave të bukës dhe të institucioneve që ofrojnë shërbime të ndryshme si dhe respektimit të distancës sociale nga qytetarët. /InfoKomuna/