Banorët e Orllanit kërkojnë mirëmbajtjen e Batllavës

PodujevëPostuar: 11:53 / 07.12.2018

Banorët në fshatin Orllan në Podujevës kanë mbajtur takim me nënkryetarin e Komunës së Podujevës, njëherit, Nexhmi Rudarin, këshilltarin politik të ministrit të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Leotrim Sahiti dhe Drejtori Ekzekutiv i Let’s Do It Kosova, Luan Hasanaj.

Takimi i sotëm me komunitetin është mbajtur në kuadër të Projektit “Improved Waste Management for Improved Water and Environment Protection”, i cili financohet nga Ambasada e Kanadasë, dhe realizohet nga Organizata ‘Let’s Do It Kosova’.

Pjesëmarrësit në takim i njoftuan qytetarët për aktivitetet e Iniciativës “Let’s do it Kosovo” dhe planet për këtë lokalitet, si dhe shprehën shqetësimet për hedhjen e sërishme të mbeturinave në lokacionet, që janë pastruar tash e disa herë.

“Nga banorët e fshatit Orllan u kërkua që të përcaktojnë disa hapësira, të cilët më pas do të gjelbërohen dhe do të mund të shfrytëzohen më shumë për rekreacion nga qytetarët”, thuhet në komunikatën e dërguar nga Komuna e Podujevës.

Qytetarët e pranishëm paraqitën shqetësimet e tyre në lidhje me mbeturinat, për të cilat thanë se nuk hidhen nga banorët e atij lokaliteti, por nga vizitorët e Liqenit të Batllavës, të cilëve u kërkohet që të jenë më të kujdesshëm.

Po ashtu, u kërkua vendosja e shportave përreth liqenit si dhe angazhimi i punëtorëve për mirëmbajtjen e liqenit dhe hapësirave përreth.