GIZ-i me projekt për Podujevën në krijimin e sistemit për menaxhimin e sistemit të energjisë

PodujevëPostuar: 15:00 / 14.09.2017

Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu dhe përfaqësuesi i Shoqërisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ) – Projekti i Kosovës për Efiçiencë, kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi për Krijimin e Sistemit të Menaxhimit të Energjisë në Nivel Lokal, transmeton InfoKomuna.

Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka pritur në takim përfaqësuesit e GIZ-it, me të cilët ka nënshkruar memorandumin e bashkëpunimit për Krijimin e Sistemit të Menaxhimit të Energjisë në Nivel Lokal.

Qëllimi i kësaj marrëveshje është që të sigurohet bashkëpunimi i dakorduar dhe i ngushtë në mes të palëve nënshkruese për të krijimin e sistemit për menaxhimin komunal të energjisë, bazuar në Marrëveshjen për zbatim të projekteve për bashkëpunim teknik në mes GIZ-it dhe Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik.

Përmes këtij bashkëpunimi Komuna e Podujevës mbështetet në krijimin e sistemit komunal të nenaxhimit të energjisë.
Duke vlerësuar bashkëpunimin me GIZ-in, kryetari Veliu u shpreh i kënaqur që në përmes këtij memorandumi Komuna e Podujevës do të përfitojë në sistemin e menaxhimit të energjisë efiçiente.

Mbështetja nga GIZ-i do të konsistojë në ndërtimin e kapaciteteve për menaxhimin komunal të energjisë për vendimmarrësit dhe menaxherin/zyrtarët komunalë të energjisë; transformimin e Planit Komunal për Efiçiencë të Energjisë (PKEE) në Plan të Veprimit për Efiçiencë të Energjisë (PK VEE); sigurimin e veglave të IT-së për menaxhimin e Energjisë; ndërtimin e kapaciteteve për mbledhjen dhe deponimin e të dhënave dhe shtimin e kapaciteteve për raportim dhe monitorim të zbatimit të PK VEE.