Gjendje alarmante në fshatin Sfeçël të Podujevës, rrezikohen shtëpitë nga vërshimet

PodujevëPostuar: 11:17 / 11.01.2021

Reshjet kanë shkaktuar dëme edhe në rajonin e Podujevës.

Gjendje alarmante është edhe në fshatin Sfeçël të Podujevës. Atje uji ka marrë gjithçka, ndërkohë që siç kanë thënë banorët, të cilët kanë dërguar pamje në Llapi.info, uji mund të depërtojë edhe brenda si pasojë e të reshurave.

Vërshime ka edhe në disa pjesë tjera të kësaj komune. Në pamje shihet prezenca e madhe e ujit që ka përfshirë rrugë, livadhe, e që i njëjti ka arritur edhe deri tek pragjet e shtëpive në fshatin Dumosh.

Ndërkohë, kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, pas vërshimeve ka thënë se janë duke e përcjellë nga afër situatën. “Institucionet e Kosovës janë duke e përcjellë nga afër situatën dhe të gjitha kapacitetet shtetërore janë vënë në gjendje gatishmërie, përfshirë këtu Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave, Shtabet Lokale dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës. Po ashtu, Hoti është në komunikim edhe me komandantin e KFOR-it, Gjeneral-Majorin, Franco Federici, i cili ka shprehur gatishmërinë për të ofruar ndihmën e forcës paqeruajtëse nëse një gjë e tillë do të jetë e nevojshme”, thuhet në njoftimin për media./Llapi.info