Këshilli i drejtorëve në Podujevë diskuton përgatitjen e Kornizës Afatmesme Buxhetore 2020/22

PodujevëPostuar: 16:01 / 05.06.2019

Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka mbajtur sot takim me Këshillin e Drejtorëve të Komunës, ku është diskutuar lidhur me ecurinë e përgatitjes së Kornizës Afatmesme Buxhetore 2020/22.

Në takimin e sotëm të ekzekutivit të Komunës së Podujevës u diskutua për përgatitjen e Kornizës Afatmesme Buxhetore 2020/22 (KAB) në bazë të Qarkores Buxhetore 2020/01, të lëshuar nga Ministria e Financave.

Lidhur me Kornizën Afatmesme Buxhetore 2020/22 anëtarët e ekzekutivit i informoi drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Isuf Latifi.

Drejtori Latifi, duke folur lidhur me kufijtë buxhetor për vitin 2020, ka specifikuar grantin e përgjithshëm, grantin specifik të arsimit dhe grantin specifik për shëndetësi.

Ai tha se bazuar në KAB, Komuna e Podujevës për vitin 2020 do ta ketë një buxhet prej rreth 24 milionë euro.

Kryetari Veliu kërkoi nga drejtorët angazhim në respektimin e dinamikës së përgatitjes së këtij dokumenti strategjik për Komunën në përputhje me afatet e përcaktuara.

Në kuadër të ecurisë së përgatitjeve të KAB, u tha se duhet organizuar dëgjimi publik, në mënyrë që të përfshihen kërkesat dhe propozimet e qytetarëve për projekte dhe investime në fusha të ndryshme.

Këshilli i Drejtorëve në takimin e sotëm diskutoi edhe rreth ecurisë së përgatitjes së Draftit të Strategjisë trevjeçare për Turizëm në Komunën e Podujevës, e cila pas plotësimeve dhe ndryshimeve të propozuara do të përcillet në Kuvend, për diskutim publik. /InfoKomuna/