Këshilltari komunal paralajmëron padi për mosmenaxhim të deponisë

PodujevëPostuar: 16:41 / 11.04.2018

Këshilltari komunal i Organizatës së Ballit Kombëtar Demokrat (OBKD), Avni Islami, ka paralajmëruar padi ndaj personave juridikë për mosmenaxhim të mirë të deponisë së mbeturinave që gjendet në fshatin Dumnicë të Podujevës.

Ai ka thënë se kjo deponi që menaxhohet nga Kompania për Menaxhimin e Deponive në Kosovë sh.a. (KMDK) po i shkatërron florën dhe faunën në këtë fshat. Ankesat e deritashme, sipas tij, nuk janë marrë parasysh nga institucionet përgjegjëse, shkruan Koha Ditore.

“Unë shpreh shqetësimet e mia si përfaqësues i zgjedhur i popullit në Asamblenë Komunale dhe i banorëve të fshatit Dumnicë e Poshtme lidhur me deponinë e mbeturinave. Ajo ka shkaktuar dhe i ka shkatërruar florën dhe faunën. Dëmet e shkaktuara janë ngordhja e lopëve, deleve e dhive, helmimi i ujit, helmimi i tokës”, ka thënë Avni Islami.