Komuna e Podujevës kërkon mbrojtje për rojet e pyjeve

PodujevëPostuar: 11:33 / 22.05.2018

Komuna e Podujevës shpreh shqetësim lidhur me sulmet fizike ndaj rojeve të pyllit gjatë kryerjes së detyrës në mbrojtje të pronës dhe pasurisë publike.

Siç thuhet në njoftim, rasti i fundit ka ndodhur më 17.05.2018, kur roja pyllit Nexhmi Selmani është sulmuar fizikisht në fshatin Dobratin nga dëmtuesit e pyllit.

Lidhur me rastin është informuat Policia e Kosovës, Agjencia Kosovare e Pyjeve dhe organeve të tjera relevante.

"Fatkeqësisht ky rast nuk është i vetmi, kur rojet e pyjeve sulmohen derisa janë në detyrë, në ruajtjen e pasurisë publike", thuhet në njoftim.

"Kërkojmë nga organet kompetente Policia e Kosovës dhe organet e drejtësisë që të ndërmarrin masat ligjore në mbrojtjen dhe krijimin e sigurisë fizike për rojet e pyjeve gjatë kryerjes së detyrës së tyre, në ruajtjen e pyjeve nga prerësit ilegal", theksojnë zyrtarët komunalë të Podujevës. /InfoKomuna/