Komuna e Podujevës miraton Buxhetin prej 22 mln euro për vitin 2019

PodujevëPostuar: 15:36 / 26.09.2018

Kuvendi i Komunës të Podujevës, në mbledhjen e mbajtur sot ka miratuar Buxhetin e Komunës së Podujevës për vitin 2019 dhe parashikimet buxhetore 2020-2021.

Në mbledhjen e sotme Kuvendi ka shqyrtuar propozimin e vendimit për miratimin e Projektbuxhetit të Komunës së Podujevës për vitin 2019 dhe parashikimet buxhetore 2020-2021 si dhe ka shqyrtuar peticionin e banorëve të disa fshatrave lidhur me ndërtimet e dy mini hidrocentraleve në territorin e Komunës së Podujevës.

Drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Isuf Latifi, prezantoi Projektbuxhetin e Komunës së Podujevës për vitin 2019 dhe parashikimet buxhetore 2020-2021.

Drejtori Latifi tha se Ministria e Financave me Qarkoren 2019/02 ka përcaktuar kufijtë final të buxhetit për vitin 2019 dhe projeksionet për vitin 2020-21.

“Sipas kësaj Qarkoreje buxheti i Komunës së Podujevës për vitin 2019 është 22,032,619.00 euro. Kjo strukturë buxhetore është e përbërë prej dy burimeve: nga Grandi Qeveritar në shumën prej 20,444,444.00 euro dhe nga të hyrat vetanake në shumën prej 1,588,175.00 euro”, tha drejtori Latifi .

Më tej ai ka prezantuar shpenzimet e ndara sipas kategorive ekonomike.
“Shpenzimet totale për paga janë 12,142,542.00 euro, ose 55.11% e buxhetit; shpenzimet për mallra dhe shërbime 2,178,773.00 euro, ose 9.89% e buxhetit; shpenzimet komunale 400,000.00 euro, ose 1.81 % e buxhetit; subvencione 610,000.00 euro, ose 2.76 % e buxhetit dhe, për investime kapitale 6,701,304.00 euro, ose 30.41 % e buxheti”, tha drejtori Latifi.

Më tej drejtori Latifi ka folur për planifikimin dhe strukturën e ndarjes së mjeteve nëpër drejtoritë përkatëse.

Projektbuxhetin e Komunës së Podujevës për vitin 2019 dhe parashikimet buxhetore 2020-2021, në emër të grupit të këshilltarëve të LDK-së e ka përkrahur këshilltari Adnan Zymeri, i cili tha se është një projektbuxhet i planifikuar në interes të qytetarëve dhe do të shpenzohet për rregullimin e jetës së qytetarëve dhe zhvillimin e komunës.

Ndërsa, në emër të grupit të këshilltarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Lirikë Maliqi, ka bërë vërejtje në projektin e buxhetit të propozuar për vitin 2019 dhe parashikimet buxhetore 2020-2021 duke thënë se nuk është planifikuar si duhet. Këshilltarja ka bërë vërejtje lidhur me buxhetin e planifikuar për sektorin e arsimit, shëndetësisë dhe bujqësisë. Ajo gjithashtu ka bërë vërejtje për mos specifikimin e disa kodeve buxhetore te investimet kapitale.

Edhe këshilltarja Floretë Zejnullahu, në emër të Grupit të këshilltarëve të PDK-së, ka adresuar vërejtje në projektbuxhetin e propozuar, duke thënë se buxheti për investime kapitale është i lartë krahasuar me buxhetin për sektorin e arsimit, shëndetësisë, kulturës e bujqësisë.

Lidhur me projektbuxhetin e propozuar kanë diskutuar dhe kanë dhënë propozimet e tyre edhe këshilltarët Donjeta Jakupi (e pavarur), Adelina Stublla (LVV), Bashkim Syla (PDK), Fatmir Rudari (PDK), Patriot Rudari (AAK), Fatlume Jaha (LDK) dhe Arbër Blaku (PDK).

Pas diskutimeve lidhur me këtë pikë të rendit të ditës, Kuvendi me shumicë votash miratoi Buxhetin e Komunës së Podujevës për vitin 2019 dhe parashikimet buxhetore 2020-202.

Kuvendi në seancën e sotme shqyrtoi edhe peticionin e banorëve të disa fshatrave lidhur me ndërtimet e dy mini-hidrocentraleve në territorin e Komunës së Podujevës.

Lidhur më këtë çështje, drejtori i Drejtorisë së Planifikimit Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit, Hamdi Jaha, informoi Kuvendin lidhur me peticionin e banorëve të cilët kundërshtojnë ndërtimin e dy mini hidrocentraleve përgjatë rrjedhës së lumit Llap në Murgull dhe Brecë.

Drejtori Jaha tha se me Planin Zhvillimor Komunal atje nuk është paraparë ndërtimi i hidrocentraleve. Më tej drejtori Jaha tha se sapo të marr nga kompania kërkesën për ndërtimin e hidrocentraleve do ta shqyrtojë atë dhe nuk do të lëshojë leje ndërtimi nëse ky projekt bie në kundërshtim me ligjin dhe nëse kundërshtohet nga banorët e asaj zone.

Lidhur me këtë çështje diskutuan edhe shefi i Grupit të Këshilltarëve të LDK-së, Avni Fetahu, Bajram Ajeti (LVV) dhe shefi i Grupit të Këshilltarëve të PDK-së, Rafet Llapashtica. Këshilltarët gjatë diskutimeve të tyre sugjeruan që kjo çështje të trajtohet në bashkëpunim me qytetarët e atyre fshatrave dhe të respektohen procedurat ligjore.

Nënkryetari i Komunës, Nexhmi Rudari, tha se Komuna është e hapur për investime, por në radhë të parë të mbrojë interesin e qytetarëve të saj. /InfoKomuna/