Komuna s`heq dorë nga ndërtimi i palestrës në pronën e kontestuar

PodujevëPostuar: 11:12 / 13.12.2017

Komunarët e Podujevës nuk do të heqin dorë nga ndërtimi i Palestrës së Sporteve në tokën që është në kontest ndërmjet saj dhe AKP-së, gjegjësisht ish-ndërmarrjes shoqërore “Fapol”.

Edhe pse më 22 nëntor zyrtarët e kompanisë private “Jaha Company”, që është duke e shfrytëzuar këtë pronë kishin penguar fillimin e punimeve të këtij objekti, zyrtarët komunalë thonë se ky projekt nuk do të dështojë, shkruan sot “Koha Ditore”.

Zëdhënësi Nazmi Elezi thotë se kanë kërkuar edhe nga Agjencia Kosovare e Privatizimit që të heqë dorë nga kjo pronë, për të cilën ai thotë se është komunale.

“Komuna është duke ndjekur rrugën ligjore për fillimin e ndërtimit të Palestrës së Sporteve në bazë të vendimit të Kuvendit të Komunës së Podujevës, të marrë më 29 prill të vitit 2016.

Pavarësisht se Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) pretendon se kjo ngastër kadastrale duhet të jetë në menaxhimin e saj, dokumentet zyrtare dëshmojnë se kjo paluajtshmëri është në pronësi të Komunës”, ka thënë Nazmi Elezi.