Kuvendi kërkon sqarime për zvarritjen e punimeve në rrugën Podujevë - Prishtinë

PodujevëPostuar: 10:02 / 13.09.2018

Kuvendi i Komunës së Podujevës të mërkurën ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme ku ka diskutuar për zvarritjen e punimeve në zgjerimin e rrugës magjistrale Podujevë-Prishtinë.

Në mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit të Komunë së Podujevës, të cilën e udhëhoqi Fatmir Gashi –kryesues i Kuvendit, e ku morën pjesë edhe nënkryetari i Komunës, Nexhmi Rudari dhe anëtarët e ekzekutivit të Komunës, u diskutua për zvarritjen e punimeve në zgjerimin e rrugës Podujevë-Prishtinë.

Iniciuesi i mbledhjes së jashtëzakonshme, këshilltari nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Arbër Blaku, falënderoi të gjitha grupet politike në Kuvend për mbështetjen e dhënë dhe kërkoi që kjo temë të trajtohet përtej interesave politike e partiake.

Këshilltari Blaku kërkoi që në kuadër të kësaj iniciative të krijohet një grup nga Kuvendi, i cili do të takohet me ministrin e Infrastrukturës, Pal Lekaj, për të diskutuar në lidhje me vonesat në punime dhe për ta kërkuar planin dinamik të projektit.

Shefi i Grupit të këshilltarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës Avni Fetahu, mbështeti debatin për çështjen e vonesave në kryerjen e punimeve në magjistralen Podujevë – Prishtinë dhe kërkoi nga ekzekutivi komunal të tregojë nëse ka ndonjë informacion në lidhje me këtë projekt dhe atë ta paraqes në Kuvend.

Ndërsa shefi i Grupit të këshilltarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Haziri, tha se vonesat në punimet për ndërtimin e kësaj rruge janë tregues i asaj se si trajtohet kjo pjesë nga qeveritë. Ai kundërshtoi propozimin për formimin e një komisioni për t’u marrë me këtë çështje, duke konsideruar se protesta do të ishte forma e vetme për adresim.

Në emër të PDK-së shefi i Grupit të këshilltarëve, Rafet Llapashtica, tha se mbështesin çdo nismë institucionale që ndikon në rritjen e dinamikës së punimeve në këtë rrugë, e cila po paraqet shumë probleme për qytetarët e Podujevës.

Lidhur me këtë çështje diskutuan edhe këshilltarët Bajram Ajeti (LVV), Florentë Zejnullahu (PDK), Avni Islami (OBKD), Benjamin Ejupi (PD) dhe Patriot Rudari (AAK).

Nga ekzekutivi sqarime për çështjet që janë kompetencë e komunës dhanë Hamdi Jaha- drejtor i Planifikimit Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit dhe Abaz Llugaliu, drejtor për Gjeodezi, Pronë dhe Kadastër.

Pas një konsulte shefat e grupeve të këshilltarëve në Kuvend u dakorduan që drejtori i Planifikimit Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit, Hamdi Jaha, nga Ministria e Infrastrukturës të marr projektin e zgjerimit të rrugës nacionale Podujevë – Prishtinë dhe të njëjtin t’ua shpërndajë shefave të grupeve të këshilltarëve

Shefat e grupeve do të informojnë këshilltarët komunalë me projektin dhe dinamikën e realizmit të tij, kurse Kuvendi në seancën e ardhshme do të vendos për hapat e mëtejmë lidhur me këtë çështje. /InfoKomuna/