Marrëveshje bashkëpunimi me Rrjetin e OJQ-ve "Demokracia Fillon Këtu"

PodujevëPostuar: 14:53 / 14.09.2017

Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu ka nënshkruar sot marrëveshje bashkëpunimi me Shemsi Jasharin – drejtor ekzekutiv i Rrjetit të OJQ-ve lokale “Demokracia Fillon Këtu” në funksion të interesit të përbashkët, njofton InfoKomuna.

Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka pritur sot në takim Shemsi Jasharin - drejtor ekzekutiv i Rrjetit të OJQ-ve lokale “Demokracia fillon këtu”, me të cilin ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi, në funksion të interesit të përbashkët, që ka të bëjë me ngritjen e vlerave të demokracisë që kanë të bëjnë me aktivitetet e Shoqërisë Civile, duke mbështetur të drejtën e individit në asociim me të tjerët si dhe duke krijuar një mjedis më të favorshëm për veprimin dhe fuqizimin e Organizatave të Shoqërisë Civile.

Kryetari Veliu tha se memorandumi, që nënshkruan sot me drejtorin e Rrjetit të OJQ-ve lokale “Demokracia Fillon Këtu”, i kontribuon avancimit të transparencës dhe bashkëpunimit sa më të mirë të institucioneve të Komunës me qytetarë dhe shoqata përfaqësuese të tyre si dhe vlerësimit të angazhimit dhe kontributit të shoqërisë civile në nivel lokal.
Qëllimi i këtij Memorandumi është bashkëpunimi në nivel lokal në realizimin e aktiviteteve, në përputhje me programet dhe objektivat e dy subjekteve nënshkruese në funksion të avancimit të transparencës, konform dispozitave ligjore dhe nënligjore përkatëse.

Memorandumi i Bashkëpunimit gjithashtu është shprehje e vullnetit të mirë për të mbështetur iniciativën e Rrjetit të OJQ-ve lokale “Demokracia Fillon Këtu”, për të qenë partner aktiv në aktivitet e tyre duke propozuar ide dhe iniciativa, duke monitoruar, raportuar dhe informuar qytetarët nga një kënd tjetër.