MMPH tregon planin për rrënimin e objekteve pa leje afër Liqenit të Batllavës

PodujevëPostuar: 11:59 / 11.09.2018

Tanimë ka kaluar afati që ishte paraparë prej shtatë (7) ditësh për rrënimin e objekteve pa leje në zonën e parë të Liqenit të Batllavës, në fshatin Orllan të Podujevës dhe se ekzekutimi i vendimit të Ministrisë kompetente pritet të bëhet shumë shpejt.

Kështu ka deklaruar për “Indeksonline”, Ushtruesi i Detyrës (U.D) së Ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Fatmir Matoshi. Ai ka thënë se për momentin janë duke i shqyrtuar disa ankesa. Sipas tij, që i kanë bërë ozurpatorët.

“…Tani kanë mbetur vetëm disa procedura të vogla, shpejta dhe të shkurtra që ka disa ankesa që kanë bërë ndaj vendimit të disa prej atyreve uzurpatorëve që janë aty, ata janë duke i marr përgjigjet lidhur me ankesat që i kanë bërë, më tutje Inspektorati duhet me konstatu brenda pak ditëve gjendjen sepse ne kemi informata që një pjesë prej tyre veç i kanë largu vet objektet. Pra pas konstatimit të gjendjes me një procesverbal nga Inspektorati do të fillojë rrënimi i objekteve pa leje kushdo që nuk i ka hequr”, ka thënë Matoshi për “Indeksonline”.

Më tej, ai ka theksuar se objektet që do të rrënohen përfshihen në Zonën e parë, përkatësisht objektet të cilat janë të vendosur 10 metra afër Liqenit të Batllaves. Matoshi beson se këto procedura do të përfundojnë brenda këtij viti.


Ndërkaq, lidhur me këtë çështje banorët e fshatit Orllan kanë dërguar kërkesën me peticion të nënshkruar mbi 320 banor, për pezullimin e ekzekutimit të vendimit të MMPH-së lidhur me rrënimin e objekteve që gjenden përreth Liqenit të Batllavës.

Kërkesa iu është drejtuar tri institucioneve atë të Kryeministrit, Ramush Haradinaj, përkatësisht Qeverisë, MMPH-së dhe Avokatit të Popullit.

Rikujtojmë, se vendimi në fjalë sipas njoftimit më herët të dikasterit përkatës ishte marrë pas inspektimeve në terren nga Inspektorati i MMPH-së, të cilët kanë konstatuar se subjektet që kanë ndërtuar pa leje në zonën e Liqenit të Batllavës nuk i janë përmbajtur vendimit të vitit 2017 për largimin e tyre.

Ndërkohë, që këto vendime janë bazuar në Ligjin Nr. 04/L-147 për Ujërat në Kosovë, Ligjin Nr. 04/L-175 për Inspektoratin e Mjedisit, Ujërave, Natyrës, Planifikimit Hapësinor dhe Ndërtimit, Udhëzimin Administrativ të MMPH-15/2017, si dhe Vendimit të Qeverisë me Nr. 17/127, të datë 24.04.2013, për caktimin e zonave të mbrojtura dhe masat e tyre mbrojtëse të burimit ujor sipërfaqësor – Akumulacioni i Batllavës.