Podujeva do ta zhvendosë bibliotekën në Komunë

PodujevëPostuar: 13:04 / 09.01.2019

Objekti i tanishëm i Komunës së Podujevës shumë shpejt pritet të shndërrohet në bibliotekë të qytetit. Gjithë kjo për faktin se objekti ku deri tash ishte e vendosur biblioteka është rrënuar për të mundësuar ndërtimin e “Rrugës së xhamisë”.

Deri në ndërtimin e objektit të ri, komuna ka marrë vendim që biblioteka e qytetit të transferohet në objektin ekzistues të administratës komunale. Mbi 26 mijë libra sa ka biblioteka e qytetit të Podujevës nuk janë shfletuar nga askush që nga tetori i vitit të kaluar. Shumë prej tyre mund t’i ketë mbuluar edhe pluhuri, e të paketuara po presin të zënë vend diku tjetër.

Tërë kjo pasi objekti ku ishin të vendosura deri tani është rrënuar në tetor të 2018-s, për të mundësuar ndërtimin e “Rrugës së Xhamisë”, rrugë kjo që do të shërbejë si unazë e brendshme e qytetit të Podujevës.

E epitetin e bibliotekës së qytetit shumë shpejt pritet ta marrë objekti i tanishëm i Komunës së Podujevës. Së paku përkohësisht. Gjithë këto libra do të transferohen në këtë objekt deri në ndërtimin e objektit të ri, që sipas zyrtarëve komunalë pritet të fillojë së shpejti.

Në Komunën e Podujevës deklarojnë se rrënimi i objektit, ku ka qenë e vendosur edhe biblioteka e qytetit është bërë për ndërtimin e “Rrugës së Xhamisë”.

Zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Nazmi Elezi, i ka thënë Gazetës Express se biblioteka e qytetit do të transferohet përkohësisht në objektin ekzistues të administratës komunale deri në ndërtimin e objektit të ri.

“Objekti i vjetër administrativ, në të cilin ka qenë e vendosur edhe biblioteka e qytetit, është rrënuar për t'u realizuar projekti i ndërtimit të rrugës së re. Rruga tashmë është ndërtuar, kurse biblioteka e qytetit, deri në ndërtimin e objektit të ri, do të transferohet përkohësisht në objektin ekzistues të administratës komunale”, ka thënë Elezi.

Por, për kohën se kur do të fillojë ndërtimi i objektit të bibliotekës nuk preferojnë të japin detaje. Vetëm deklarojnë se transferimi i librave do të ndodhë shumë shpejt.

“Kjo do të ndodhë shumë shpejt, menjëherë pasi administrata komunale të zhvendoset në objektin e ri, ku aktualisht janë duke u kryer disa punë në bazë të vërejtjeve të komisionit për pranim teknik.

Ndërkohë, në bazë të raportit “Statistikat e Kulturës” të publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, deri në fund të vitit 2017-s kjo bibliotekë kishte rreth 26 mijë libra.

Derisa sipas statistikave çdo vit pasurohet me rreth 2 mijë tituj të rinj të librave. Në vitin 2017, biblioteka e qytetit të Podujevës kishte 1 mijë e 860 lexues, dhe është e vetmja bibliotekë në qytetin e Podujevës, ku janë të punësuar gjashtë punëtorë.