Podujeva humbi 1.5 milionë euro nga suficiti

PodujevëPostuar: 10:46 / 02.04.2019

Komunarët e Podujevës kanë dështuar ta shpenzojnë buxhetin e dedikuar për projekte kapitale gjatë vitit 2018. E madhe është shuma e mjeteve që u ka humbur, meqë Komuna nuk ka arritur t’i shpenzojë mjetet e buxhetuara, sipas planifikimit.

Në bazë të buxhetit të miratuar për vitin e kaluar, vetëm nga granti qeveritar për projekte kapitale kanë qenë të dedikuara 5.637.783 euro. Ndërsa, në bazë të raportit financiar të publikuar të premten, shihet se zyrtarët komunalë kanë arritur t’i shpenzojnë vetëm 4.141.242 euro ose 87.59 për qind. E që i bie se 1.496.541 euro u kanë mbetur suficit dhe të njëjtat i kanë humbur, shkruan sot Koha Ditore.

Të pashpenzuara për këtë kategori u kanë mbetur edhe mjete nga të hyrat vetjake, por ato mund t’i përdorin gjatë këtij viti. Nëse marrim shumën totale për kapitale, duke përfshirë grantin, të hyrat vetjake dhe mjetet e donatorëve nga 6.449.727 euro, Komuna e Podujevës i ka shpenzuar vetëm 4.728.248 euro, ose 73.31 për qind. Raportin financiar komunarët e kanë miratuar të vetëm, pa debat, pasi opozita e kishte bojkotuar seancën e së premtes për shkak të, siç kanë thënë, injorimit të organit legjislativ nga kryetari Agim Veliu.