Podujeva në hall me mbeturinat nëpër qytet

PodujevëPostuar: 11:08 / 17.05.2019

Plani i ri për mbledhjen e mbeturinave i ka nxjerrë telashe kompanisë për menaxhimin e mbeturinave (KRM) “Pastrimi” dhe Komunës së Podujevës.

Kjo e fundit ia ka lënë në dorë tërë menaxhimin e qytetit kompanisë publike dhe po ashtu shumicën e fshatrave të kësaj komune. Por nëpër qytet kontejnerët dhe hapësira përreth tyre është përplot mbeturina, shkruan sot Koha Ditore.

Zëdhënësi Nazmi Elezi nuk preferon ta quajë të dështuar këtë plan. Sipas tij, gjendja është shumë më e mirë tash se në javën e parë kur kishte filluar të implementohej ky plan.

“Mbeturinat në qytet po hidhen nga ata që nuk janë të përfshirë në sistemin e grumbullimit të mbeturinave. Në rastet e ndonjë defekti të makinerisë mund të ketë vonesa, përndryshe nuk ka vonesa në grumbullimin e mbeturinave dhe ato grumbullohen sipas planit.

Në grumbullimin e mbeturinave në qytet kompania fillon punën në orën 06:00”, ka theksuar Nazmi Elezi.