Podujevë, kërkohet të mos tatohen rrugët dytësore si në qendër

PodujevëPostuar: 14:17 / 06.12.2018

Zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë kërkuar që të mos tatohen edhe rrugët dytësore sikur qendra e qytetit që janë të përfshira në Zonën e parë.

Ditën kur është prezantuar Rregullorja e re për pronën e paluajtshme për 2019, këshilltarja e kësaj partie, Doruntina Hasani, ka thënë se i kanë disa vërejtje, lidhur me këtë dokument. “Duke qenë se kemi të bëjmë me një rregullore që përcakton vlerat e pasurisë së paluajtshme dhe normat tatimore për këto pasuri, kjo duhet të jetë në kuadër të logjikës së politikës fiskale dhe në funksion të arritjes së qëllimeve të politikës fiskale si: Përmbushjen e nevojave të publikut përmes sistemit të shëndoshë të tatimeve; Stimulimin e investimeve; Rritjen e kursimit; Rritjen e cilësisë së shërbimeve publike si (arsimit, shëndetësisë, infrastrukturës, etj.)”, ka thënë Doruntina Hasani.

Sipas saj, Lëvizja Vetëvendosje ka vërejtje pothuajse në të gjitha elementet përbërëse të saj, si caktimin e zonave tatimore, vlerat për sipërfaqe dhe normat tatimore. “Te zonat tatimore ku territori i Komunës është i ndarë në 4 zona tatimore me theks të veçantë te Zona e parë tatimore ku janë të përfshira në një zonë edhe rrugët: ‘Zahir Pajaziti’, ‘Xhemail Mustafa’, ‘Xhafer Meta’, etj. që nënkupton edhe vlera e objekteve të banimit dhe komerciale është e njëjtë e rrjedhimisht edhe tatimi i njëjtë. Nëse e marrim një shembull konkret një lokal në rrugën ‘Zahir Pajaziti’ ku qiraja e lokalit është 1.000 euro dhe një lokal me sipërfaqen e njëjtë në rrugët ‘Sali Çitaku’ apo “Xhafer Meta” qiraja e lokalit është 100 euro, apo lokal i zbrazët për arsye se për shkak të lokacionit nuk arrin të mbijetojë, ndërsa tatimi është i njëjtë me gjithë faktin se pronari i lokalit në rrugën ‘Zahir Pajaziti’ realizon të ardhura 10 herë më të mëdha”, është shprehur këshilltarja e VV-së Nexhat Tovërlani.