Podujevë: Vazhdon të rritet numri i rasteve aktive me koronavirus

PodujevëPostuar: 13:22 / 15.03.2021

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës ka njoftuar sot edhe për 12 raste të reja me koronavirus në Komunën e Podujevës.

Sipas njoftimit të IKSHPK-së, 10 raste me COVID-19 janë në qytet, 1 në fshatin Dobërdol dhe një në fshatin Tërnavë.

Vetëm përgjatë kësaj jave, në këtë Komunë pozitivë për virusin korona kanë rezultuar mbi 100 qytetarë llapjanë. E, kjo shifër ka bërë që të rritet akoma më shumë numri i rasteve aktive.

Epidemiologia e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), Bedrie Rama, ka deklaruar për Llapi.info se tani për tani aktivë me koronavirus janë mbi 230 qytetarë.

“IKSHPK na ka njoftuar sot për 12 raste pozitive me COVID-19 në Podujevë. Këto raste të fundit bëjnë që në Podujevë tani të jenë 236 raste aktive me këtë virus”, është shprehur Rama.

Më tej, Rama ka theksuar se janë edhe 175 qytetarë llapjanë në pritje të rezultateve nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik.

Që nga fillimi i pandemisë, e deri më tani, numri i të infektuarve në Llap ka arritur në mbi 3 mijë e 200. Deri tash janë raportuar 46 viktima, kurse 3028 pacientë janë shpallur të shëruar.

Ditë më parë, Shtabi Emergjent në Podujevë, në një mbledhje të mbajtur, ka kërkuar nga qytetarët zbatim të masave mbrojtëse kundër COVID-19

Në këtë takim është thënë se në përgjithësi nuk janë duke u respektuar masat mbrojtëse sipas rekomandimeve të IKSHPK dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe si pasojë e kësaj ka rritje të numrit të infektuarve. Me këtë rast, zyrtarë komunalë u kanë kërkuar të gjitha organeve kompetente, veçmas policia dhe inspektorati të jenë më aktivë në teren, në mënyrë që të zbatohen rekomandimet dhe respektohen masat mbrojtëse.

Në anën tjetër, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike njoftoi të dielën se kanë vdekur gjashtë persona, të cilët kishin qenë të infektuar me koronavirus. Ndërkaq, pas testimit të 3.444 mostrave në laboratorët shtetërorë dhe privatë, janë regjistruar edhe 565 raste të reja me COVID-19

Që prej 13 marsit, 2020, e deri më 14 mars, 2021, Kosova ka regjistruar në total 77.253 raste me COVID-19 . Prej tyre, 1.702 raste kanë përfunduar me fatalitet, ndërkaq 64.666 persona janë shëruar. Kurse, raste aktive janë 10.885./Llapi.info/