"Qatar Charity" do të bëjë hapjen e 40 puseve për ujë të pijes në Podujevë

PodujevëPostuar: 11:04 / 02.05.2019

Nënkryetari i Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari, ka pritur në një takim drejtorin e Organizatës “Qatar Charity”, Mahmoud Abbas Shaker, me të cilin ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për hapjen e 40 puseve familjare për furnizim me ujë të pijes.

Gjatë takimit nënkryetari Rudari dhe drejtori e “Qatar Charity”, biseduan për bashkëpunimin e suksesshëm dhe format e vazhdimit të projekteve të përbashkëta që ndikojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Nënkryetari Rudari falënderoi Organizatën “Qatar Charity” për mbështetjen e vazhdueshme që po i ofron Komunës së Podujevës në realizimin e projekteve në sferën e mirëqenies sociale, duke ofruar ndihmë në forma të ndryshme për familjet me gjendje të rëndë socio-ekonomike.

Bazuar në këtë marrëveshje bashkëpunimi Komuna e Podujevës do të sigurojë listën e hapësirave publike dhe familjeve në nevojë, për hapjen e 40 puseve familjare për furnizim me ujë të pijes, të cilat do të përzgjidhen nga vizitat e përbashkëta që do të realizohen nga të dyja palët.

Organizata “Qatar Charity” merr për sipër të gjitha shpenzimet për hapjen e puseve për ujë të pijes, montimin e pompave të ujit me të gjitha pajisjet përcjellëse.

Bazuar në këtë memorandum, palët nënshkruese dakordohen që ky projekt të finalizohet deri më 5 shtator të këtij viti. /InfoKomuna/