Të rinjtë kanë idetë dhe potencialin për transformim

PodujevëPostuar: 17:01 / 23.09.2018

Në Orllan tek plazhi i liqenit me ftesë të Qendrës Rinore Blue, drejtori Ekzekutiv i Institutit KLGI, Besnik Muçaj, ka prezantuar në kampin rinor.

Mes të rinjve Muçaj prezantoi nevojën për forcimin e demokracisë lokale, nëpërmjet pjesëmarrjes në vendimmarrje. Ku ndër të tjera theksoi nevojën për fuqizimin e konceptit të debateve të fokusuara dhe me agjendë mes institucioneve dhe akterëve në këtë rast të rinjve.Ai në mes tjerash vuri theksin për domosdoshmërinë për të lëvizur nga investimet kapitale në infrastrukturë tek zhvillimi i qëndrueshëm njerëzor.

Në diskutim u shtrua nevoja për politika më të qëndrueshme që përfshijnë të rinjtë në vendimmarrje. Ndërkaq fokus të veçantë Muçaj vendosi tek domosdoshmëria që institucionet rinore të kthehen në mekanizma profesional të edukimit jo-formal.

Ai trajtoi nevojën që të shtohet angazhimi i të rinjve në demokratizim, duke vendosur interes për grupet e margjinalizuara.

Po ashtu shprehi gatishmërinë që ai personalisht dhe Instituti KLGI t’i shërbejnë domosdoshmërisë për përfshirjen e studenteve në programet dhe punët si mundësi e forcimit të komponentës praktike përgjatë studimeve.

Me këtë rast Muçaj ka falënderuar Qendrën Rinore Blue, për punën dhe përkushtimin që nuk janë të lehta në funksion të të rinjve.

Orllani si përherë i bukur me peizazhin mes maleve, liqenin dhe objektet historike ishte plot vizitorë, andaj duhet të shtohen kapacitetet për shfrytëzim të turizmit profesional me qendra trajnimesh e vende rekreacioni. /InfoKomuna/