12 kompani të autobusëve privat në Prishtinë, protestojnë para objektit të komunës

PrishtinëPostuar: 14:50 / 08.10.2018

Kompanitë private të autobusëve kanë protestuar kundër linjave të reja të autobusëve të Trafikut Urban. Për më tepër, përfaqësuesit e tyre thonë se kanë kërkuar takim me kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti, por i njëjti, ata thonë se nuk i ka pritur duke u arsyetuar se e ka agjendën e ngjeshur.

Ismet Haliti, drejtor i kompanisë “Qendra 2”, në emër të të gjitha kompanive tha se protesta e sotme është për të kërkuar të drejtat e tyre dhe të mos shkelen vetëm kompani private. Ata thanë se nuk janë kundër sektorit publik, janë të gatshëm të bashkëpunojnë me ta.

“Arsyeja e protestës është tërheqja e trafikut urban nga vijat e uzurpuara me forcë, kërkojmë ruajtjen e linjave ekzistuese që me investim vetanak dhe me mund të madh i përpunuam, kërkojmë vazhdimin e bashkëpunimit me drejtorinë e shërbimeve publike dhe përfshirjen e të gjithave proceseve sa i përket transportit publik të Prishtinës. Të trajtohet sektori privat i barabartë me sektorin publik, ashtu siç i trajton ligji të ketë kritere të arsyeshme dhe të jenë në harmoni me hapësirën që na u ka krijuar deri më tani në të gjitha fushat”, tha Haliti.

Haliti tha se protestuesit kishin kërkuar ditë më parë takim me kryetarin e komunës për zgjedhjen e problemit, por ai nuk kishte pranuar takimin me ta, me arsyetimin që agjendën e kishte të ngjeshur, raporton Ekonomia Online. “E kemi bërë një kërkesë para protestës, me na taku një grup prej sektorit privat dhe nuk na ka pranu është arsyetuar se ka agjendë të ngjeshur. ”Fadil Gashi drejtor i kompanisë “Qendra A” thotë se bëhet fjalë për rreth 350 punëtorë. “Nëse vazhdon kështu sic është tani, jam i bindur se ne do të mbetemi pa punë dhe nesër do të kalojmë si rast social ku këtë nuk e dëshiron askush”, tha Gashi.

“Nuk është në pyetje një individ, por afro 350 punëtorë që mund të kalojnë në rast social nëse vazhdon ky problem”. “Kushtet ne i ofrojmë në qoftë se komuna e kërkon këtë prej nesh si kriter, të cilët ne i plotësojmë, por ne këtë e themi se edhe Trafiku Urban nuk ka mundësi kurrsesi të plotësoj kërkesat që janë dalë me autobusët, nuk janë blerë prej Trafikut Urban por prej Kuvendit Komunal. Ne dëshirojmë të bashkëpunojnë me ne, dhe në koordinim me ta, t’i plotësojmë kriteret dhe i ofrojmë shërbimet siç i kemi ofruar”, tha ai.

“Ne kërkojmë takim me kryetarin, dhe nëse ndodh kjo, ne besojmë që do të biem në ujdi sepse nuk jemi për me eskalu situata, por me e rregullu këtë”, tha ai. Agron Musa i linjës 5, i zemëruar me këtë gjendje, tha se kjo situatë po ndikon në financat e tyre, dhe familjet e tyre janë të rrezikuara që mund të mbesin pa të ardhura, raporton EO. “Në të gjitha linjat ka ndërhyrë, dikun më shumë, e dikun me pak. Ju kisha lut kryetarit të Komunës mos të na lë me eskalu aty ku nuk bën”, tha Musa.

“Përfundimin nuk e dimë, por jemi shumë të frustruar, le të na lë me punu deri ne Vit të Ri, siç kemi punuar dhe më pas le të na ndaj vijat. Ne i blejmë mjetet dhe punojmë bashkë. Ne të gjithë jemi të pajtimit, por jo me na shkel neve dhe me na qitë prej vijave”, tha ai.