Abrashi: Problemet e Prishtinës janë të zgjidhshme, vetëm duhet vullnet

PrishtinëPostuar: 13:47 / 22.09.2017

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, ka thënë të premten se problemet dhe nevojat me të cilat përballen qytetarët e Prishtinës, janë lehtë të zgjidhshme, vetëm nevojitet vullnet politik të cilin e ofron LDK-ja dhe kandidatët e saj.

Ai ka shtuar se së bashku me ekipin kanë punuar në një program që është i kapshëm, i prekshëm dhe i realizueshëm për çdo qytetarë të Prishtinës.

“Kam dalë nëpër lagjet dhe fshatrat e Prishtinës dhe i kam parë nevojat e tyre. Në bazë të nevojave të qytetarëve kemi krijuar projektin për Prishtinën. Lagjet e Prishtinës kanë edhe nevoja edhe probleme në jetën e tyre të përditshme. E mira e gjithë kësaj është se këto probleme janë evidente dhe lehtë të zgjidhshme, nëse ekziston vullnet, të cilin ne do ta ofrojmë”, ka thënë Abrashi.

“E para që do ta ndryshojmë është qasja ndaj vet Prishtinës. Ne mendojmë që nevojitet një qasje ndryshe zhvillimore. Ne kemi evidentuar se Prishtina ka shumë nevoja për investime të mëdha infrastrukturore, të cilat i kemi dizajnuar dhe planifikuar, ka nevoja të intervenimit në shumë sektorë, siç janë çështjet mjedisore, sektori i arsimit, shëndetësisë, sektori i kulturës etj”, ka shtuar Abrashi.

Kandidati i LDK-së për Prishtinën ka thënë se në sektorin e arsimit nevojitet ndërtimi i shtatë shkollave, në sektorin e shëndetësisë nevojitet që qendrat e mjekësisë familjare të punojnë me orare të zgjatura dhe të ndërtohen edhe disa qendra të tjera, ndërsa kemi evidentuar edhe qasje më konkrete për rininë, duke i ofruar edhe mundësi që të krijojmë biznese “Start Up”.

“Ne kemi realizuar një plan me një numër të madh të projekteve kapitale që prekin secilën lagje, duke filluar nga Unaza, Rruga A, vazhdimi i Rrugës B dhe Rruga C. Ne planifikojmë që t’i fusim të gjitha ujërat e zeza në kolektorë, duke filluar së pari me Matiqanin dhe Emshirin”, ka thënë Abrashi.

Ai ka shtuar se e dinë çka do të bëjnë edhe në fshatrat Dabishevc, në Bardhosh, në Lebanë, në Besi, në Marec etj.