Ahmeti: Për Prishtinën e pastër në çdo lagje e çdo fshat

PrishtinëPostuar: 16:45 / 16.11.2017

Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti tha se me modelin e ri për menaxhimin e mbeturinave, Prishtina do të jetë e pastër që në vitin e parë. "Është çështje e shëndetit publik, andaj e kemi prioritet kryesor".

Ai theksoi se gjatë mandatit të parë kanë pastruar më shumë se 200 deponi ilegale, bashkë me Inspekcionin dhe kompanitë për mirëmbajtje. Prej vitit 2018, nuk do të ketë më nevojë për një gjë të tillë, transmeton InfoKomuna.

"Bashkë me GIZ-in gjerman, tash e dy vite kemi punuar në ndërtimin e një modeli të ri të operimit, për menaxhimin e mbeturinave në kryeqytet. Tashmë e kemi planin të gatshëm, se si ta bëjmë Prishtinën të pastër në secilën lagje. Nga janari 2018, nis zbatimi i rregullores së re, përmes së cilës pagesa për pastrimin bëhet në Komunë, e jo në kompani. Do të shtohet numri i kontejnerëve, dhe do të përfshihen të gjitha lagjet dhe fshatrat e Prishtinës. Do të ketë plan të ri aksional gjithpërfshirës, me orare të sakta në secilën pikë", tha ai.
 
Me shumicën në Kuvendin Komunal, do t’i bëjmë reformat e nevojshme në kompaninë 'Pastrimi', ashtu që t’i eliminojmë problemet politike. 'Pastrimi', kontratës për shërbime, do  jetë operatori kryesor brenda sistemit të ri të menaxhimit të mbeturinave. Kompanitë e tjera angazhohen vetëm në rast se 'Pastrimi' nuk arrin ta mbulojë gjithë terrenin. Më këtë reformë, asnjë punëtor i pastrimit nuk rrezikohet, por përkundrazi iu përmirësohen kushtet e punës", shtoi Ahmeti.
 
Sipas tij, në fillim të vitit 2018, do të fillojnë ndërtimin deponisë për mbeturinat inerte. Kjo mundëson që të gjithë ndërtimtarët dhe qytetarët tjerë t’i hedhin direkt mbeturinat inerte në lokacionin e caktuar.
 
"Me këtë plan tonin, do të bëhet edhe reciklimi i mbeturinave, me ç’rast kujdesemi që ta ruajmë ambientit në Komunën tonë", tha Ahmeti. /InfoKomuna/