Ahmeti: Prishtina përherë ka nderin që të mirëpres përfaqësuesit e institucioneve të Shqipërisë

PrishtinëPostuar: 15:48 / 22.09.2021

Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti sot ka takuar kryetaren e re të Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, e cila po qëndron në një vizitë në Kosovë së bashku me delegacionin e saj.

Kryetari Ahmeti ka theksuar se Prishtina përherë ka nderin që të mirëpres përfaqësuesit e institucioneve të Shqipërisë.

"Sa ishte një takim zyrtar ishte edhe një takim miqësor. Folëm për të gjitha sfidat që kemi dhe natyrisht folëm për Komunën e Prishtinës. Por edhe më shumë për marrëdhëniet Kosovë – Shqipëri. Për atë se si mund të përmirësohen ato dhe si të koordinohemi më mirë."

"Në këtë moment, para përfundimit të mandatit, unë mund të jap vetëm këshilla dhe e thashë se është një kohë e vështirë për Kosovën dhe se nuk është mirë që të flasim me dy zëra, por të bashkërendojmë veprimet sepse ne nuk mund të konsiderojmë Kosovën dhe Shqipërinë si dy shtete që kanë marrëdhënie diplomatike por realisht si dy shtete që duhet të funksionojnë në marrëdhënie ndërkombëtare si një", ka theksuar Ahmei përmes një postimi në rrjetin social Facebook. /InfoKomuna/