Ahmeti vs Abrashi

PrishtinëPostuar: 09:40 / 17.11.2017

Balotazhi për kryetarin e Prishtinës do të përballë kryetarin aktual, Shpend Ahmeti, i cili po e synon edhe një mandat dhe rivalin e tij nga LDK-ja, Arban Abrashi.

Në raundin e parë, Ahmeti mori 43.32 për qind, apo 38.294 vota, ndërsa Abrashi 35.79 për qind, apo 31.428 vota.

Pas caktimit të datës zyrtare nga KQZ-ja për zgjedhjet e balotazhit, të dy kandidatët bënë marrëveshje parapake të koalicionit me kundërkandidatët e raundit të parë. Ahmeti bëri koalicion me Selim Pacollin e AKR-së, e Abrashi me atë të AAK-së, Arbër Vllahiun, shkruan sot Koha Ditore.

Pacolli, ka marrë 10.21 për qind, apo 8.965 vota në zgjedhjet e 22 tetorit, kurse Vllahiu ka marrë 2.862 vota, apo 3.26 për qind të votave të tërësishme.

E VV-ja, në ditën kur bëri koalicion me AKR-në pati paralajmëruar edhe koalicione me partitë e tjera, sidomos me ato me të cilat ka qeverisur në mandatin e fundit, siç është AAK-ja, por kjo gjë nuk ndodhi.

“Jemi këtu për të zyrtarizuar vendimin e bashkëpunimit me AKR-në edhe për një mandat. Jemi dakorduar për program të përbashkët. Zotohemi se së bashku me z. Pacollin dhe AKR-në do të punojmë për reformimin e kryeqytetit”, pati thënë Ahmeti.

Ahmeti ka thënë se pas certifikimit të zgjedhjeve, VV-ja pret se do t’i ketë 18 asamblistë, AKR-ja do t’i ketë 4 ose 5, dhe kjo u krijon këtyre dy subjekteve politike komoditetin që të diskutojnë edhe me subjektet e tjera politike gjatë ditëve në vijim, në mënyrë që të krijojnë shumicën në Asamblenë komunale.

Lufta për të marrë sa më shumë vota edhe në Kuvendin Komunal e ka karakterizuar tej mase fushatën e VV-së në këto zgjedhje. Ahmeti gjatë tërë fushatës u ka bërë thirrje votuesve të VV-së që të votojnë edhe kandidatë për këshilltarë komunalë, jo vetëm atë.

Ndërsa, Abrashi nuk ka reflektuar me këso kërkesa para votuesve të tij. Gjatë vizitave nëpër lagje të ndryshme gjatë fushatës, ai u është drejtuar votuesve me këshillën që të votojnë këshilltarët e lagjes së tyre, duke iu thënë se ata do të jenë zëri i tyre. Por këtë nuk e ka bërë me aq insistim, sa Ahmeti.

LDK-ja është ndjerë më e relaksuar në këtë drejtim për faktin se në mandatin e kaluar, ndonëse e pati humbur pushtetin në Prishtinë, për herë të parë që nga zgjedhjet e pasluftës në Kosovë, ajo e ka pasur shumicën e këshilltarëve në Kuvendin komunal. Ndërsa, VV-ja, ndonëse ka pasur koalicion me AKR-së, AAK-në dhe dy parti të tjera të vogla, sërish nuk pati arritur të ketë më shumë këshilltarë sesa opozita.

Ndërsa, që gjatë tërë mandatit, mbledhjet e KK-së në Prishtinë janë përcjellë me shumë përplasje midis pozitës, e cila nuk mund të kalonte vendimet e Ekzekutivit në mungesë votash, dhe opozitës e cila gjatë tërë mandatit e ka sfiduar pozitën me kritika rreth punës dhe vendimeve që dërgoheshin për miratim në Asamble.

Për këtë shkak, jo pak herë ka pasur edhe thirrje për zgjedhje të parakohshme në Prishtinë dhe bllokada e lëshime të mbledhjeve. E një veprim të këtillë, e ka bërë në disa raste edhe vetë VV-ja, duke lëshuar sallën e Kuvendit, edhe pse vetë ishte në krye të Qeverisë komunale.

E Ahmeti është kritikuar jo rrallëherë si kryetar, i cili më shumë e do partinë e vet sesa kryeqytetin. Një akuzë të këtillë, e ka bërë dje edhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, i cili, duke ju referuar protestave të VV-së kundër pushtetit qendror të para dy vjetëve në Prishtinë, ka thënë se “Ahmeti është i vetmi kryetar komune në botë, që del dhe e djeg dhe e shkatërron qytetin e tij”.

dhe Abrashi shumë herë e kanë akuzuar Ahmetin se është marrë me politika globale, e jo me kryeqytetin”. Por Ahmeti e ka akuzuar partinë e këtyre dyve, se ajo ka qenë fajtorja e vetme që në kryeqytet janë bllokuar shumë vendime që kanë qenë në të mirën e qytetarëve, dhe se kjo është bërë vetëm për arsye politike.

LDK-ja dhe VV-ja janë përplasur shumë herë edhe rreth autobusëve, projektit të furnizimit me ujë të pijes, dy nga projektet të cilat Ahmeti i ka prezantuar si storie të suksesit të tij, por Abrashi ka thënë se asnjëra nga këto projekte nuk janë projekte të tij, sepse ato janë hartuar dhe janë iniciuar në kohën e qeverisjes së LDK-së në Prishtinë.

Abrashi në debatin e parë me Ahmetin ka thënë se programi i tij është më i mirë, ndërsa ka shtuar këtu se qe 4 vjet qytetarët nga Ahmeti kanë dëgjuar vetëm për autobusë.

“Të gjithë jemi dëshmitarë qe 4 vjet VV-ja ka folur vetëm për autobusë, edhe ata një pjesë kanë arritur e tjerët ende, kurse plani ynë është oferta më e mirë, sepse bazohet në kërkesat reale të qytetarëve”, ka thënë Arbashi.

Ndërsa Ahmeti ka thënë se “ne qe 4 vjet jemi marrë me autobusë, e ju që 14 vjet nuk e keni sjellë asnjë autobus të vetëm”.

Ahmeti ka thënë se ai në 2013-n e ka gjetur Prishtinën me 7 autobusë në pronësi të komunës, me çdo linjë të privatizuar, dhe 24 muaj pa i paguar rrogat.

E Abrashi ka thënë se në 2013-n buxheti i Komunës së Prishtinës ka qenë 85 milionë euro, ndërkaq në vitin 2016 ka rënë në 60 milionë euro.

Ahmeti dhe Abrashi kanë debatuar shumë herë edhe rreth tatimit në pronë. Abrashi ka thënë se ky është një shqetësim, me të cilin, ai si kryetar i ri i Komunës do të merret që në muajt e parë të qeverisjes, pasi që Ahmeti e kishte rritur tatimin në pronë, por se mjetet nuk u janë kthyer qytetarëve në investime.

Ndërsa, Ahmeti ka thënë se tatimi në pronë nuk është rritur, por vetëm ka pasur përshkallëzim të saj.

Ahmeti në ndërkohë është lavdëruar të ketë ndalë korrupsionin dhe ndërtimet pa leje në Prishtinë. Ai shumë herë ka përmendur se në Prishtinë, nën qeverisjen e LDK-së janë bërë 46 mijë ndërtime pa leje.

Por Abrashi ka thënë se 46 mijë ndërtime pa leje janë bërë që nga paslufta e dytë botërore, e jo nga lufta e fundit, siç ka thënë Ahmeti. Ata janë konfrontuar edhe rreth menaxhimit të buxhetit të komunës, rreth qenve endacakë, rreth punësimeve partiake, rreth projekteve të dështuara kapitale, etj.