Banesa e Qëndron Kastratit, iu dha familjes me gjendje të rëndë sociale

PrishtinëPostuar: 10:28 / 19.10.2018

Në listën e kategorive të dala nga lufta për të cilat Komuna e Prishtinës kishte ndarë banesë vite më parë, ishte edhe familja e dëshmorit të kombit, Isa Kastrati.

Siç thuhet në njoftimin e Komunës së Prishtinës, i biri i tij, kryetari i sotëm i Kamenicës, Qëndron Kastrati, pasi që u zgjodh në post publik e liroi banesën me kërkesë që ajo t’i ndahet ndonjë familjeje tjetër qoftë nga kategoritë e dala nga lufta, qoftë nga rastet sociale.

"Çelësat e asaj banese sot i ka z. Milazim Hasimi, i cili ishte i pari në listën e pritjes nga familjet me gjendje të rëndë sociale, për të siguruar strehim në një banesë të tillë", thuhet në njoftim.

"Duke falënderuar z. Kastrati për një veprim të tillë, urojmë që ky shembull të ndiqet edhe nga të tjerët, ashtu që banesat e tilla të jenë në dispozicion për familjet në nevojë", theksohet më ej në njoftim. /InfoKomuna/