Banorët e rrugës “Ali Hadri” duan parkingje në vend të shtyllave antiparkim

PrishtinëPostuar: 10:30 / 19.01.2018

Një grup banorësh, që jetojnë në ndërtesa kolektive në rrugën “Ali Hadri”, kanë reaguar kundër vendosjes së shtyllave antiparking në rrugën ku jetojnë, duke kërkuar nga Komuna fillimisht sigurimin e parkingjeve për ta.

Ata thonë se Komuna e Prishtinës është dashur që së pari të rregullojë çështjen e parkingjeve, për të cilën ata i janë drejtuar Komunës edhe me peticion, e pastaj të vendosë shtylla antiparking në trotuare, shkruan sot Koha Ditore.

Sipas tyre, me vendosjen e shtyllave veturat do të parkohen para hyrjes së ndërtesave.

Dy muaj më parë këta banorë i kanë drejtuar një peticion Komunës së Prishtinës, për të kërkuar që t’u gjendet një zgjidhje për parkingjet përreth objekteve të tyre të banimit, me arsyetimin se kjo gjë po u shkakton telashe të shumta në jetën e përditshme.