Dështon zbatimi i sistemit informativ të tatimit në pronë

PrishtinëPostuar: 10:02 / 26.04.2018

Raporti i auditimit të performancës së efektivitetit të sistemit informativ të tatimit në pronë (SITP), i publikuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit ka nxjerrë në pah një sërë mangësish, të bëra nga ana e Ministrisë së Financave, e cila e menaxhon këtë projekt, por edhe nga komunat që zbatojnë atë.

Kështu, në raport, thuhet se qeverisja e sistemit nuk ka rezultuar të jetë efektive. Kjo, sepse Ministria e Financave ka dështuar në hartimin e strategjisë, politikave dhe procedurave të TI-së, duke rrezikuar adresimin e burimeve të nevojshme për mbështetjen e veprimtarisë së SITP-së, shkruan sot Koha Ditore.

“Për më shumë, Ministria e Financave nuk ka krijuar kontrolle efektive të sistemit. Sistemi nuk posedon mekanizmat, apo mjetet e duhura për të identifikuar, apo trajtuar vendosjen e të dhënave jo të vlefshme. Kontrollet e plotësisë dhe saktësisë nuk janë efektive. Gjithashtu, mungon gjurmueshmëria e plotë”, thuhet në raport.

Aty shtohet se të gjitha këto mangësi mund të ndikojnë në funksionimin e sistemit, marrë parasysh edhe faktin se mbarëvajtja e sistemit nuk është duke u realizuar sipas praktikave të mira. /InfoKomuna/