Festivali i Gjelbër, sensibilizim për kursim të energjisë

PrishtinëPostuar: 11:32 / 19.09.2017

Ka nisur edicioni i dytë i Festivalit të Gjelbër në Prishtinë i cili ka për qëllim sensibilizimin e kursimin e energjisë dhe rritjen e efiçiencës.

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, tha se ky festival ka rol në sensibilizimin e njerëzve për rëndësinë e madhe të ruajtjes së mjedisit.

Sipas saj, shteti, përveç sfidave të zhvillimit, po përballet edhe me ndotjen e ambientit.

Reshitaj tha se një vend të veçantë dhe të rëndësishëm të masave preventive ka edhe ekonomia e gjelbër që mundëson progres ekonomik duke ruajtur natyrën dhe shëndetin e njeriut, raporton KP.

“Qeveria e Kosovës dhe Ministria ka për synim që të mbështes projekte që kanë për qëllim ripërtëritjen e energjisë, riciklimin e mbeturinave, trajtimin e ujërave të ndotura. Duke mbështetur këto projekte synojmë që të krijojmë përmirësimin e gjendjes së mjedisit në përgjithësi”, tha Reshitaj.

Koordinatori i Zyrës së Sfidave të Mijëvjeçarit, Petrit Selimi tha se javën e ardhshme do të nënshkruhet marrëveshje “Threshold” me Amerikën.

Sipas tij, kjo tregon angazhimin e Qeverisë amerikane për ta ndihmuar Kosovën në vlerë prej 49 milionë dollarë.

“Kjo nismë e festivalit është platforma më e mirë ku bizneset mund të tregojë që është në hap me kohën në zhvillimin e bizneseve të gjelbra”, tha Selimi.

Green Festival ka për qëllim në ngritjen e vetëdijes për ruajtjen e energjisë.