Flet drejtoresha e shkollës “Naim Frashëri”, ku u ndërpre mësimi shkaku i shembjes së dheut

PrishtinëPostuar: 12:21 / 13.05.2019

Reshjet e shiut kanë bërë që në rrugën “Qamile Jaka” në Prishtinë, të ketë shembje të dheut. E për këtë arsye nxënësit e shkollës fillore “Naim Frashëri” e cila gjendet në afërsi, sot të mos mund të vijojnë mësimin, pasi që shembja e dheut mund të paraqes rrezik për ta.

Kështu ka thënë për Telegrafin edhe drejtoresha e kësaj shkolle, Shqipe Vllasaliu Mehmedi.

“Policia na ka njoftuar sot që shkaku i gërmimeve ku po ndërtohet një ndërtesë e re ka pasur shembje të dheut, dhe na kanë thënë që sot të mos mbajmë mësim, shkaku që mundet me paraqit rrezik për fëmijët”, ka thënë Vllasaliu Mehmedi.

Ajo ka shtuar se janë duke pritur ekspertët që të vijnë në vend ngjarje dhe të masin shkallën e rrezikshmërisë,

“Sot nuk do të ketë mësim, për ditët në vazhdim nuk e di, pasi që jemi duke pritur ekspertët që të vijnë dhe të shikojnë shkallën e rrezikshmërisë”, është shprehur drejtoresha e SHFMU “Naim Frashëri” në Prishtinë.