Gjysma e lëndëve mbesin të pazgjidhura në Gjykatën Themelore të Prishtinës

PrishtinëPostuar: 10:26 / 19.01.2018

Gjykata Themelore e Prishtinës gjatë vitit 2017 ka pranuar 281 mijë e 90 raste dhe nga këto ka zgjidhur 149 mijë e 529.

Këtë e ka bërë të ditur kryetarja e kësaj Gjykate, Afërdita Bytyqi, gjatë një konference për media, ku ka prezantuar rezultatet e punës të vitit 2017.

Sipas Bytyçit, është shënuar rritje e efikasitetit nga ana e Gjykatës Themelore për 24 për qind, por ka edhe mangësi.

“Gjykata Themelore është ballafaquar me numrin e madh të lëndëve të trashëguara, numrin e madh të lëndëve të reja por me numrin e vogël të gjyqtarëve dhe me mungesën e mbështetjes teknike e asaj profesionale”, tha Bytyqi.

Ajo ka përmendur edhe një përparësi, ku sipas saj gjatë vitit 2017 është shënuar rritje në transparencë, kanë pasur bashkëpunim të mirë me mediat, hapja e llogarisë në Facebook, portali i Gjykatës, komunikatat e ndryshme nga zyra për informim, pastaj publikimi i vendimeve gjyqësore, organizimi i vizitave të shumta, pranimi i tyre etj.

Gjatë konferencës ajo premtoi se në këtë vit niveli i transparencës do të jetë akoma më mirë.

Në kuadër të Gjykatës Themelore të Prishtinës janë edhe degët e saj në Drenas, Podujevë, Lipjan e Graçanicë.