Komunës së Prishtinës i kërkohet shfuqizimi i vendimit për ndarjen e pronës për kishën ortodokse

PrishtinëPostuar: 10:03 / 17.11.2017

Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Parlamenti Studentor i janë drejtuar Kuvendit Komunal të Prishtinës me kërkesën që të revokojë vendimin e ish-Këshillit Ekzekutiv të Komunës së Prishtinës, të datës 26.9.1990, me të cilin, sipas tyre, në mënyrë të kundërligjshme i është ndarë tokë nga hapësira universitare për ndërtimin e kishës ortodokse serbe.

Nëpërmjet një komunikate për media, Këshilli Drejtues i UP-së dhe Parlamenti Studentor kanë theksuar se shfuqizimi i këtij vendimi do t’i hapte rrugë zgjidhjes ligjore të problemit dhe do të mundësonte rikthimin e pronës në shfrytëzim të UP-së, shkruan sot Koha Ditore.

Po ashtu, është bërë e ditur se Këshilli Drejtues i UP-së ka formuar grup të veçantë punues që të ndjekur këtë çështje në rrugë ligjore deri në kthimin përfundimtar të kësaj prone në shfrytëzim të këtij institucioni.